Prizren: Në Lubizhdë përurohet Ambulanta e Mjekësisë Familjare

Me një solemnitet rasti, të enjtën është përuruar objekti i ri i Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Lubizhdë. Lubizhda e Prizrenit është bërë me objekt të ri të Ambulantës së Mjekësisë Familjare, e cila është përuruar të enjtën. Pjesë e këtij solemniteti përveç banorëve lokal, ishin edhe drejtuesit më të lartë të komunës së Prizrenit dhe ata të sektorit të shëndetësisë.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se ndjehet i lumtur që po e përurojmë këtë objekt të rëndësishëm shëndetësor me pajisje bashkëkohore, për nevoja të mijëra banorëve jo vetëm të këtij lokaliteti, për t’u ofruar shërbime të afërta mjekësore, theksoi ai.

Drejtori i Shëndetësisë , Visar Shehu, tha se ky objekt është njësia e parë e ndërtuar që i plotëson të gjitha standartet sipas Udhëzimit Administrativ për shërbim funksional, ndërsa kostoja e këtij projekti kap shumën e 164 mijë e 324 eurove, njoftoi ai.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të QKMF-së, Arsim Berisha, tha se qëllimi i realizimit të këtij projekti, është ofrimi i kushteve të volitshme për punë efikase në shërbim të qytetarëve. Kryetari i fshatit Lubizhdë, Nehat Vehapi, në emër të bashkëfshatarëve falënderoi komunën për këtë investim, i cili sipas tij, i shërben avancimit të kulturës dhe mënyrës së jetesës së banorëve jo vetëm të këtij lokaliteti.

Gani Vehapi, banor i Lubizhdës, e vlerësoi gjithashte tejet të rëndësishëm këtë projekt, i cili sipas tij ka qenë më së i nevojshëm jo vetëm për lubizhdasit. Ndryshe, punimet në realizimin e këtij projekti kanë filluar me 27 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa dinamika e punimeve ka qenë e paraparë të kryhet brenda afatit kohor prej 12 muajve, ndërsa objekti është përuruar dy muaj para afatit të paraparë.