Prizreni bëhet me muze për Nënë Terezën

Qytetit të Prizrenit së shpejti pritet t’i shtohet edhe një muze. Muzeu i ri do t’i dedikohet shenjtores dhe humanistes shqiptare me përmasa botërore Nënë Tereza.

Muzeu i Nënë Terezës është pjesë e programit të BE-së për bashkëpunim ndër-kufitar Kosovë – Maqedoni Veriore. Krahas fondeve të BE-së, ky projekt bashkëfinancohet edhe nga Komuna e Prizrenit.

Projekti i ndërtimit të Muzeut të Nënë Terezës ka për qëllim t’i mbledhë dhe t’i ruaj kujtimet për Nënë Terezën, t’i ndajë ato me njerezit dhe të kontribuojë në nxitjen e mirëkuptimit dhe kohezionit brenda shoqërisë, të ndërtuar mbi parime të barazisë, humanizmit dhe solidaritetit, ashtu siç punoi gjithë jetën Nënë
Tereza.

Organizata ChwB ka njoftuar se një ekipë kuratoriale si bashkëpunim i ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare do të përkujdeset që jeta e Nënës Terezë të shpaloset përmes tregimeve për vendlindjen e saj, prindërit dhe rrethanat tjera që quan në formimin e personalitetit human më me peshë të shekullit XX.

Njëkohësisht kjo organizatë u ka bërë thirrje të gjithë atyre që në çfarëdo forme të kenë patur kontakte apo njohuri për jetën, veprën dhe të kaluarën e Nënë Terezës gjatë vizitave të shumta të saj në qytete të ndryshme të Kosovës, të njoftojnë personelin e kësaj organizate në mënyrë që ato të ruhen dhe mbesin përgjithmonë në Muzeun për Nënë Terezën.