Prizreni nderon dëshmorin Dr. Halil Berisha

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që Dëshmorit të Kombit Dr. Halil Berisha t’i ndajë titullin “Nderi i Qytetit”.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në
Akademinë Përkujtimore e cila u mbajt sot në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.

Haskuka gjatë Akademisë është shprehur: “Kanë kaluar 30 vite kur nga jeta është ndarë Dr. Halil Berisha, një profesionist i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e mjekësisë në Kosovë, sidomos në ortopedi dhe traumatologji. Por i jashtëzakonshëm është edhe sakrifica e tij për atdheun dhe të vërtetën, i cili si një profesionist i virtytshëm nuk u përkul kundër trysnive dhe presioneve të organeve të UDB-së jugosllave dhe nuk dha diagnoza të rrejshme për vdekjen e dëshmorëve të vrarë nga okupatori serb, të cilët dëshironin t’i paraqesnin ato si vetëvrasje. Këtë qëndrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe guximtar, të cilin e mbajti edhe në rastin e vrasjes së Xhemajli Berishës, për fat të keq Dr. Halil Berisha e pagoi me çmimin më të shtrenjtë, atë të jetës.”

Në fund i pari i Prizrenit ka njoftuar se për nder të Dr. Halil Berishës, i cili është një figurë shembull dhe një udhërrëfyes për vlera profesionale dhe atdhetare, ndjehem i privilegjuar të njoftoj se me vendimin e marrë në asamblenë komunale, gjatë festave të qershorit do t’i ndahet titulli “Nderi i Qytetit”.