Prizreni shton kapacitetet për shërbime shëndetësore

Komuna e Prizrenit sot ka nënshkruar një marrëveshje me Caritas Kosova përmes së cilës Komunës së Prizrenit i shtohet numri i personelit mjekësor.

Arritjen e kësaj marrëveshjeje e ka bërë të ditur Drejtori për Shëndetësi i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu.

“Sot u nënshkrua Kontrata në mes të Komunës së Prizrenit dhe Caritas Kosova. Rëndësia e kësaj Kontrate është e dyfishtë, në njërën anë Drejtoria Komunale e Shëndetësisë krijon numër të mjaftueshëm të personelit mjekësor si mjek dhe infermierë, me crast i mbulon të gjitha njësitë shëndetësore me personel mjekësor, ndërsa nga ana tjetër banorëve të Komunës i shtohen rreth 9500 vizita shtëpiake me mbi 70.000 shërbime shëndetësore.” ka shkruar Shehu në profilin e tij.

Shehu gjithashtu ka njoftuar se Komuna e Prizrenit për herë to parë do të ofrojë edhe shërbime të kujdesit paliativ, trajtim gjithëpërfshirës për pacientët që janë në fazën terminale të sëmundjes dhe që janë kërcënuese për jetën, të tilla si: kanceri, çrregullimet progresuese polmonare, neurologjike, renale, HIV/AIDS etj.