Probleme në partinë turke

Partia Demokratike Turke e Kosovës, partia e vetme e komunitetit turk në Kosovë, po ballafaqohet me probleme serioze të brendshme.

KDTP, të cilin e udhëheq Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar është në vlugun e përgatitjeve për organizimin e Kuvendit Zgjedhor të saj. Në javët në vijim, kjo parti përmbush afat ligjor për mbajtje të detyrueshme të Kuvendit Zgjedhor, në të kundërtën do të rrezikohet regjistrimi i saj në zgjedhjet e ardhshme.

Në një njoftim të publikuar përmes portalit KosovaHaber, një grup i anëtarëve të KDTP-së të udhëhequr nga dy deputetët e vetëm të kësaj partie në Kuvendit e Kosovës, Fikrim Damka dhe Myfera Shinik, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj Kryetarit të Partisë Jagxhillar dhe Kryetarit të degës së kësaj partie në Prizren Senxhar Karamuqo ndaj mos inicimit të procedurave për organizim të zgjedhjeve të brendshme.

Për shumë vite brenda KDTP-së kanë ekzistuar rryma të ndryshme të cilat kanë çuar edhe deri të ndarja në dysh e saj, kur nga eksponentë të kësaj partie ishte themeluar KTAP e udhëhequr nga ish kryetari i Komunës së Mamushës Arif Bytyq dhe afaristi prizrenas Xhemil Luma.