Probleme në RTK

Nëntë gazetarët e Radio Televizionit të Kosovës, të cilët u akuzuan nga drejtori gjeneral i këtij mediumi se janë aty me një “skenar politik” dhe se kanë qëllim që ta destabilizojnë RTK’në, kanë reaguar përmes një komunikate. Ata e kanë dënuar gjuhën e drejtorit të këtij mediumi, duke e cilësuar si gjuhë kërcënuese e linçuese.

Dje gjatë ditës, Express ka raportuar për hallakamën e cila po ndodh në mediumin publik të Kosovës. nëntë gazetarë të RTK’së kishin vendosur t’i kërkojnë të drejtat e tyre duke shkruar letra dhe kërkesa në drejtim të menaxhmentit. Kanë kundërshtuar emërimin e një redaktori të lajmeve për të cilin kanë thënë se s’ka pasur diplomë kur është pranuar në punë në RTK.

Ata kishin kërkuar konkretisht që Besart Galica nuk do ta pranojnë si redaktor. Në anën tjetrë, pas raportimeve, drejtori gjeneral i RTK-së, gjatë ditës së shtunë kishte akuzuar nëntë gazetarë të televizionit publik se po tentojnë ta destabilizojnë RTK’në e që sipas tij ata janë pjesë e një skenari politik, pa përmendur parti të caktuara politike.

Ndërsa gjatë se dielës, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e dënuan gjuhën denigruese ndaj gazetarëve, duke e paralajmëruar se RTK’në se nëse nuk vepron ndryshe do të përballet me ligjin.

Në reagimin e gazetarëve, Ardita Sylejmani, Arton Mulliqi, Fazli Veliu, Gentiana Kelmendi, Jehona Zhitia, Leonora Berbatovci, Valjeta Kosumi, Visar Krasniqi dhe Zenel Hajrizi, thuhet se ata janë të interesuar tash e dy muaj që të zgjidhen problemet brenda këtij mediumi. Madje ata e dënuan edhe gjuhën e gazetarëve të ndryshëm të cilët i cilësuan si “puçistë”.

E për më tepër, vetë Radio Televizioni Publik, kishte raportuar në edicionin e lajmeve këtë zhvillim, por asnjëherë që sipas gazetarëve “nuk na habitë shumë, pasi që edhe institucioni ku ne punojmë (RTK), në Edicionin Qendror të lajmeve të orës 19 e 30 të së njëjtës ditë (dt.10.08.2019), ka dhënë lajmin e plasuar fillimisht nga portalet, e pastaj edhe reagimin e menaxhmentit dhe reagimin e pjesshëm të njërës nga sindikatat e RTK-së, pa na pyetur edhe neve si palë e etiketuar”.

Nëntë gazetarët, i kanë konsideruar deklarimet e drejtorit gjeneral, Ngadhnjim Kastritit, si të pabaza dhe të paqëndrueshme, pa ofruar asnjë fakt për pretendimet e tij. Ata e konsiderojnë gjuhën e tij si kërcënuese e linçuese.

Për më tepër, ata edhe akuzojnë se qëllimi i gjithë kësaj tollovie, sipas informacioneve të tyre është që të bëhet zëvendësimi i tyre dhe të punësohen gazetarë të rinj pa konkurs. /GazetaExpress/

Reagimi i plotë:

Të nderuar,

Ne, 9 gazetarët e Dhomës së Lajmeve të RTK-së (Ardita Sylejmani, Arton Mulliqi, Fazli Veliu, Gentiana Kelmendi, Jehona Zhitia, Leonora Berbatovci, Valjeta Kosumi, Visar Krasniqi dhe Zenel Hajrizi) , të apostrofuar një ditë më parë nëpër media, po iu drejtohemi me këtë e-mail, për të shprehur shqetësimin tonë në lidhje me lajmet që u plasuan për situatën e krijuar në RTK.

Si pjesë e Dhomës së Lajmeve e kemi parë me shqetësim daljen në media të këtyre zhvillimeve, sidomos reagimin e menaxhmentit të RTK-së përkitazi me këtë situatë. (Në fakt disa pjesëtarë të menxhmentit na kanë paralajmëruar se kjo letër, e që nuk është e vetmja, mund të dalë në media).

Fillimisht ju sqarojmë se këtë problem, tash e më shumë se dy muaj kemi qenë dhe jemi të interesuar ta zgjidhim brenda institucionit ku ne punojmë. Në këtë kuadër edhe kemi shprehur shqetësimet tona brenda mekanizmave institucionalë të RTK-së. Dalja në media e këtij problemi është bërë me qëllim të keq, për të na linçuar, etiketuar, frikësuar e shantazhuar publikisht, duke na quajtur si “të pakënaqur”, e madje nga disa media duke u cilesuar “puçistë”.

Meqë ky problem ka rrjedhur në publik në formë gjysmake, pa dëshirën tonë dhe jo nga ne, e konsiderojmë jo profesionale edhe qasjen e kolegëve tanë gazetarë të disa mediave, të cilët nuk e kanë marrë mundin për asnjë moment që të na kontaktojnë edhe neve dhe të marrin edhe mendimin tonë për këtë çështje, parim bazë ky i profesionit tonë.

Por, kjo nuk na habitë shumë, pasi që edhe institucioni ku ne punojmë (RTK), në Edicionin Qendror të lajmeve të orës 19 e 30 të së njëjtës ditë (dt.10.08.2019), ka dhënë lajmin e plasuar fillimisht nga portalet, e pastaj edhe reagimin e menaxhmentit dhe reagimin e pjesshëm të njërës nga sindikatat e RTK-së, pa na pyetur edhe neve si palë e etiketuar. Një gjë të tillë, RTK-ja e ka pasur fare të lehtë, pasi që 5 nga 9 gazetarët e etiketuar nga Drejtori Gjeneral i RTK-së si të ndikuar dhe me agjenda politike, e kanë realizuar në pjesën më të madhe Edicionin e Lajmeve të datës 10 gusht 2019. Pra, pjesa më e madhe e gazetarëve të etiketuar atë ditë, kanë qenë në punë në Dhomën e Lajmeve duke realizuar kronikat për Lajmet Qendrore.

Etiketimet e Drejtorit Gjeneral të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, dhe vartësve të tij, për gjoja agjenda politike, janë të paqëndrueshme dhe të pabaza. Menaxhmenti nuk ka ofruar asnjë fakt, i cili i dëshmon pretendimet e tyre. Për më tepër këto e dëmtojnë rëndë integritetin tonë personal e profesional, e po ashtu edhe pavarësinë editoriale të RTK-së. Ne nuk jemi e as nuk pranojmë të jemi pjesë e agjendave politike.

Pakënaqësia jonë ka vetëm një qëllim, të ndalet diskriminimi i vazhdueshëm në Dhomën e Lajmeve, i cili ka ndodhur si rezultat i mosgatishmërisë së Menaxhmentit për t’i trajtuar ankesat tona të vazhdueshme, e që nuk ndërlidhen vetëm me avancime, por edhe me trajtimin e pabarabartë në rastet sikurse është edhe selektimi i vetëm disa gazetarëve për të përcjellë agjendat e krerëve të institucioneve në udhëtimet zyrtare jashtë vendit.

Gjithësesi, duam t’ju sqarojmë se në asnjë moment nuk mund të konsiderohet ndikim politik kur 9 gazetarët e Dhomës se Lajmeve kërkojnë të trajtohen me dinjitet, siç e garantojnë rregulloret e brendshme të RTK-së, ligjet në fuqi dhe veçanërisht Ligji kundër diskriminimit si dhe Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Prandaj, reagimin e djeshëm publik të Menaxhmentit të RTK-së karshi shqetësimeve tona, ne e kuptojmë si gjuhë kërcënuese e linçuese.

Të gjitha shqetësimet tona për këtë problem, i kemi adresuar me kohë te Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, si organ mbikqyrës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Me kohë u kemi kërkuar që të ndalet diskriminimi brenda llojit.

Reagimi i Drejtorit Gjeneral, në esencë përmban, përveç etiketimeve, edhe shumë pasaktësi. Ai thotë se “9 gazetarët kanë refuzuar avancimet e risistemimet që i kërkuan vet”.

Ne kemi kërkuar të na bëhet vlerësimi i punës, sipas rregulloreve të RTK-së, gjë që nuk është bërë për disa vite radhazi. Eprori ynë i ka bërë vlerësimet bashkë me rekomandimet për avancim dhe ato i kemi nënshkruar. Ato vlerësime me rekomandime që tani gjenden nëpër sirtarë të Menaxhmentit, janë hedhur poshtë nga vet menaxhmenti. Pra, bëhet fjalë për vlerësimet e punës për vitin 2018, e të cilat përmbajnë edhe rekomandimet për avancimet me të cilat jemi pajtuar me eprorin tonë, u.d së kryeredaktorit.

Përkundrazi, nga shërbimi i administratës së RTK-së, na janë dërguar ftesat që deri me dt. 13.08.2019 në orën 16.00, të lajmërohemi për t’i nënshkruar kontratat e reja (sipas administratës, të obligueshme). Për më shumë, këto kontrata të hartuara, nuk janë në përputhje me rregulloret e brendshme, duke qenë se bien ndesh me rekomandimet për avancim, të nënshkruara nga ne.

Duke na larguar neve dhunshëm dhe duke mos shprehur gatishmëri për ta zgjidhur problemin tonë, Menaxhmenti i RTK-së, po e përgatitë terrenin për prurje të reja në Dhomën e Lajmeve. Kemi informacione, të cilat ia kemi bërë të ditura edhe Menaxhmentit edhe Bordit të RTK-së, se zëvendësimi ynë në Dhomën e Lajmeve po tentohet të bëhet përmes sjelljes së gazetarëve të rinj nga mediat tjera pa konkurs.

Ne gjithsesi do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për realizimin e të drejtave tona. Ndërsa kolegëve gazetarë nga mediat tjera, u bëjmë thirrje që të raportojnë në mënyrë profesionale, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të kolegëve gazetarë, sikur në rastin tonë. Etiketimet politike dhe transmetimi i tyre në mënyrë të njëanshme, nuk na bëjnë nderë asnjërit prej neve si gazetarë.

Prishtinë, 11 gusht 2019