Procesi zgjedhor në Podujevë pa probleme të theksuara

Ka përfunduar procesi votimit në shkollën fillore, “Shaban Shala” në Podujevë.

Në këtë qendër të votimit dyert u mbyllën në orën 19:00, derisa kanë votuar 48.1 për qind të qytetarëve. Ndërsa i tërë procesi u konsiderua se ka shkuar në rregull dhe pa probleme.

Menaxheri i kësaj qendre votimi, Sabri Rudari bëri të ditur se shifrat e daljes në votim nga qytetarët.

“Ne kemi respektuar orarin pasi nuk kishte votues më rresht para hyrjes ora 19:00 e kemi mbyllur qendrën e votimit. Deri më tani kanë votuar 1910 votues prej 3972 sa ishin të paraparë ose 48.1 për qind”, tha ai.

Rudari tha se gjatë ditës nuk ka pasur ndonjë problem në këtë qendër të votimit.

“Nuk kemi pasur asnjë incident, gjithçka ka shkuar në rregull”, tha ai.

Pak para përfundimit të procesit të votimit, KosovaPress qëndroi edhe në qendrën e votimit “Naim Frashëri”, ku menaxheri i kësaj pike, Skender Haxhiu u shpreh se i tërë votimi ka shkuar me rregull.

“Procesi zgjedhor në qendrën tonë të votimit ka shkuar jashtëzakonisht mirë të gjitha masat janë marrë me kohë dhe janë respektuar kë nivel…Numri i personave që kanë votuar deri më tash është diku 1500 ose rreth 40 për qind”, tha ai.

Qytetarët llapjanë kanë votuar gjatë ditës sot për ta zgjedhur kryetarin e ri të komunës. Në garë për këtë post janë Nexhmi Rudari nga LDK, Shpejtim Bulliqi nga LVV dhe Naim Fetahu nga PDK.