Prokuroria godet përpjekjet për rrënimin e “Abi Çarshisë”

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka mbajtur një konferencë për media ku ka trajtuar temën e shumëpërfolur të ditëve të fundit jo vetëm në Komunën e Prizrenit.

Kryeprokurori Admir Shala ka folur përkitazi me përpjekjet e Komunës së Prizrenit për rrënimin e një pjese të qendrën tregtare “Abi Çarshia” në Prizren duke precizuar se ekzistojnë një numër i akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi të cilat duhet t’i zbatojnë institucionet.

Shala ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar një kallëzim penal nga ana e investitorit “Abi Çarshia” kundër Drejtorit të Inspekcionit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Prizrenit, të cilët kanë marrë pjesë në rrënimin e objektit të “Abi Çarshisë” me pretendimin se të njejtit kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe kanë konsumuar elemente të veprës penale. “Prokuroria, në bazë të dokumentacionit edhe të Policisë dhe të Njësisë për Krime Ekonomike, ka konstatuar këtë gjendje në terren”, ka deklaruar Shala.

Gjatë konferencës, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka sqaruar të gjitha procedurat të cilat do të duhej të ndiqeshin nga Komuna e Prizrenit në kuadër të trajtimit të çështjes “Abi Çarshia” dhe ka dhënë hollësi mbi shkeljet ligjore që kanë ndodhur në këtë proces.

“Nëse është aplikuar për legalizim, atëherë Komuna duhet të vendosë për kërkesën për legalizim. Edhe nëse aplikacioni refuzohet, objekti nuk guxon të rrënohet pa i shfrytëzuar mjetet e ankesës. Prokuroria e Shtetit ka ardhur në përfundim se, përderisa Komuna nuk ka dalë me një vendim për legalizim, duhet të përmbahet nga veprimet të cilat mund të jenë të kundërshtimet me ligjet, aktet nënligjore dhe vendimet e institucioneve përkatëse” ka deklaruar Shala.

“Prokuroria e Shtetit është e obliguar që t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit dhe duhet të merr masa ndaj kujtdoqoftë që e shkel ligjin” ka thënë Shala.

Ai është deklaruar edhe ndaj deklarimeve të shumta që janë bërë rreth rolit të Prokurorisë Themelore duke tërhequr vërejtjen se “Sulmi ndaj Policisë dhe Prokurorisë është i pabazë sepse ne punojmë sipas ligjit, pavarësisht se për kë bëhet fjalë dhe askush nuk mund të ndikojë veprimet e Prokurorisë së Shtetit” duke shtuar edhe se Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe Drejtori i Inspektoratit kanë refuzuar kërkesën e tij për takim lidhur me këtë çështje.

Në fund Shala ka bërë apel tek zyrtarët e Komunës së Prizrenit të mos bëjnë asnjë veprim të mëtutjeshëm pasi kjo çështje është në hetim penal në të kundërtën ka theksuar se Prokuroria Themelore në Prizren do të veprojë konform ligjit.