Prokuroria interviston dëshmitarët për 53 milionë eurotë e “Arbën Xhaferit”

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka filluar hetimet ndaj Qeverisë Haradinaj për dhënien e 53 milionë eurove shtesë kompanisë “Bechtel-Enka” për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Qeveria e Kosovës në qershor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që t’i paguaj 53 milion euro kësaj kompanie për shkak të, siç u tha, dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguaj me rregull faktuar. Por gjatë ditës së sotme Prokuroria Speciale ka konfirmuar për Sinjalin se është duke u hetuar ky rast.

Ekrem Lutfiu, zëdhënësi për media në Prokurorinë Speciale të Kosovës, i ka thënë Sinjalit se deri më tani është dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve.

adds image

“Hetimet janë në zhvillim e sipër, deri më tani janë dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve, si dhe jemi duke punuar në mënyrë intensive në këtë rast. Është herët që të zbulohen detajet tjera lidhur me rastin”, thuhet në përgjigje.

Sinjali ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj si dhe nga kabineti i tij për këtë çështje, por askush nuk ka qenë i qasshëm. Po ashtu, Sinjali ka provuar të marr një përgjigje edhe nga zv/ministri Rexhep Kadriu, por as ai nuk e ka hapur telefonin.

Lekaj në fillim të qershorit të vitit të kaluar e kishte konsideruar si sukses, kur sipas tij, pas disa negociatave “Bechtel-Enka” ishte arritur marrëveshja për zbritjen e gjobës. Nga 63 milionë sipas Lekajt ishte zbritur në 53 milionë euro.

 “Pas negociatave kemi arritur që të ulim shumën në 45 milionë euro duke shtuar edhe 8 milionë euro të TVSH-së, në total do të paguajmë 53 milionë euro”, kishte thënë Lekaj.