Prokuroria kërkon zgjatjen e paraburgimit për gratë e kthyera nga Siria në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’ua zgjasë paraburgimin shtëpiak, grave të kthyera nga Siria.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga avokatja e njërës prej grave, Fehmie Gashi-Bytyçi.

Ajo shtoi se kërkesa e Prokurorisë nuk e përcakton se edhe për sa kohë kërkohet zgjatja e kësaj mase.

Më 19 prill, 110 shtetas të Kosovës janë kthyer nga Siria në Kosovë, përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë, që morën pjesë në grupin militant, Shteti Islamik.

Luftëtarët janë arrestuar menjëherë, kurse grave u është caktuar paraburgim shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Kthimi i tyre u bë i mundur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Para një muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë ua caktoi masën e arrestit shtëpiak, të gjitha grave të kthyera nga Siria. Vendimi i mor për shkak të veprës penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se në zonën e konfliktit në Siri ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë. /Radio Evropa e Lirë/