Prokuroria po e shqyrton mundësinë për ndjekje penale ndaj Mytaher Haskukës

Prokuroria po i shqyrton dy ospione, pasi Komuna e Prizrenit nuk dërgoi një përfaqësues ligjor në rigjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit, Bujar Nerjovaj, i cili njëherë ishte dënuar me gjashtë muaj burgim por se lënda e tij ishte kthyer në rigjykim.

Prokurori i Shtetit, Metush Biraj, ka thënë se së pari duhet parë nëse rigjykimi ndaj Nerjovajt mund të vazhdojë pa përfaqësuesin e komunës apo të shqyrtohet mundësia e ndjekjes penale ndaj Kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.

Këto konstatime Biraj i ka thënë të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është shtyrë gjykimi ndaj sh-drejtorit të Inspektoratit dhe ish-zëvendësministrit të  Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Bujar Nerjovaj.

Shtyrja e gjykimit ndaj Nerjovajt, i cili ngarkohet se ka lejuar ndërtime pa leje në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren dhe ka dëmtuar komunën për mbi 36 mijë euro, ka ndodhur pasi Komuna nuk ka caktuar përfaqësues ligjor për mbrojtjen e interesave të saj.

Gjykata ka vendosur prapë t’i drejtohet me kërkesë Kryetarit Haskuka për caktimin e një zyrtari ligjor i cili do ta përfaqësojë Komunën me konstatimin se nëse nuk respektohet urdhëresa  e kësaj gjykate do të paraqiste vepër penale.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani konstatoi se Gjykata i ishte drejtuar Kryetarit Haskuka  që në rastin konkret të caktojë një zyrtar ligjor që rregullon përgjegjësitë dhe kompetencat dhe autorizimet e Drejtorit të Inspektoriatit në nivel komunal si dhe caktimin e një zyrtari komunal nga Drejtoria kompetente.

Mirëpo, Haskuka përmes një parashtrese të 5 shkurtit të këtij viti i kishte thënë se sa i përket kërkesës së parë nuk mund caktojë zyrtar ligjor pasi që përgjegjësitë dhe kompetencat Drejtoria e Inspektoriatit rregullohen sipas ligjit për Vetëqeverisje lokale dhe Statutit të Komunës. Ndërsa sa i përket kërkesës së dytë, Haskuka  kishte thënë se Komuna si institucion Administrativ operon me rregullore për taksa dhe tarifa ku secila Drejtori i ka zyrtarët përgjegjës për inkasimin e tyre.

Pas kësaj Prokurori i Shtetit Metush Biraj  deklaroi se  seanca e sotme duhet të shtyhet dhe se edhe një herë kërkoi nga  kryetari i Prizrenit të caktojë një përfaqësuesi të Komunës për të mbrojtur interesat në Gjykatë.

Ai ka thënë se nëse nuk dërgohet përfaqësuesi i komunës në seancë duhet shqyrtuar se a të vazhdohet me gjykim apo të shqyrtohet mundësia e konsumimit të ndonjë vepre penale nga ana e Kryetarit të Komunës për zvarritje të procedurës.

Pasi që nuk pati kushte për mbajtjen e kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani njoftoi se seanca e sotme nuk do të mbahet dhe e njejta është shtyrë më datën 11.10.2021 në ora 10:00.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda një viti pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin nga akuza së të mbrojturit të tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi