Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të “Qeverisë Thaçi 2”, Besim Beqaj, Mimoza Kusarit, Dardan Gashit, Nenad Rashqit, ish drejtorti të KEK-ut Arben Gjuka.

Aktakuza është ngritur për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’.  Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shtije të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shtijeje.

Sipas aktakuzës i pandehuri me iniciale B.B., kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP) bashkë me M.K., N.R., D.G., dhe L.F., anëtarë të KQP-së në cilësi të personave zyrtar, me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK.

Me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese.

Dëmi tjetër i shkaktutar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezentuar vlerën e aseteve para privatizmit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazura në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.

Ndërsa të akuzuarit F:H., menaxhere në projektin për privatizimin (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i akuzuari A.Gj., në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor Menaxhues në KEK, i akuzuari B.H., koordinator për shthurje të KEK-ut i akuzuari K.B., anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) secili i akuzuar ndaras, me qëllim që të i mundësojnë cfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta
Ndërsa, i akuzuari F.Ç, në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KEK-ut, M.R., A.N., F.K. dhe I.I., në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe G.J., në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KKDFE-së, B.B., G.Sh., N.H. dhe A.A., në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj cfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.