Prokuroria Speciale: “Burdushi” përfitoi 1 milion euro nga veprimtaria e tij

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për tre vepra penale ndaj Hysri Peqanit të njohur si “Burdushi”.

Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtja pa leje dhe Shpërlarja e parasë janë veprat penale për të cilat Prokuroria Speciale po akuzon “Burdushin”.

Sipas Prokurorisë që nga vitit 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 Euro e deri në 3,000 Euro, në total duke përfituar rreth 1 milion Euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie, 55 fishekë në kundërshtim me Ligjin për armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale, duke filluar nga viti 2006 parat e tilla i ka futur në sistem bankarë përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria ka Burdushit i ka sekuestruar edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.