Propozimi i LVV-së për adresimin e krimeve të luftës

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me propozim për adresimin e krimeve të luftës të cilat Serbia i ka kryer në Kosovë.

Disa nga veprimet të cilat LVV kërkon që të ndërmerren nga institucionet e vendit janë:

– Themelimi me ligj i institutit për hulumtimin e krimeve të luftës me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë. Instituti duhet të jetë i përhershëm dhe në Ministrinë e Drejtësisë;

– Miratimi i propozimit të Lëvizjes për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës;
Krijimi i komisionit parlamentar të përhershëm për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, për gjenocid dhe për dëmet e tjera të shkaktuara;

– Krijimi i një prokurorie të specializuar për krimet e luftës me një numër të mjaftueshëm prokurorësh të mirëtrajnuar. Po ashtu, krijimi i një dhome të veçantë gjykimi brenda sistemit gjyqësor të Kosovës me gjykatës të specializuar;

– Krijimi i departamentit në Policinë e Kosovës specializuar për krimet e luftës, për ndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë;

– Krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjensisë së Kosovës për Forensikë;

– Miratimi i një legjislacioni të vecantë për mbajtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve;

– Krijimi i një dege të veçantë brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.

Të gjitha këto janë të mundshme dhe të realizueshme brenda institucioneve të Kosovës, por duhet vullnet politik dhe dedikim financiar adekuat dhe përgjegjësi institucionale për realizimin e këtyre pikave.

Po ashtu, në ditët e fundit nëpërmjet një shkrimi të publikuar Prof. Robert Muharremi ka dhënë një propozim që ndahet edhe nga profesionistë të tjerë të fushës dhe që duhet trajtuar seriozisht nga institucionet shtetërore:

– Anëtarësimi i Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit;

– Padia e Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.