Protestojnë nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, kundërshtojnë mbylljen e tij

Nxënësit e Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” më Prishtinë, kanë filluar protestën e tyre në shenjë pakënaqësie për vendimin e Drejtorisë së Arsimit, që ky gjimnaz të mbyllet.

Nxënësit janë mbledhur para dyerve të gjimnazit duke kundërshtuar mbylljen e këtij objekti.

”Ne kemi nevojë për më shumë dije e arsim, jo për rrënim! Këshilli jonë thërret që të bashkohemi kundër interesave personale të individëve të caktuar që kanë qëllim vetëm të mirën personale/private dhe jo atë të përgjithshme/publike. Këshilli jonë kërkon garanci që shkolla jonë të rindërtohet, jo të shuhet”, është thënë në një njoftim të bërë dje nga Këshilli i nxënësve të këtij gjimnazi.

Drejtoria ka marrë vendim që nxënësit e klasës së 10-të të kësaj shkolle do të vendosën në objektin e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta do të vendosën në Gjimnazin “Sami Frashëri”.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala.

Ajo ka thënë se vendimi për mbylljen e kësaj shkolle është marrë për shkak se nuk i plotëson kushtet për vijimin e mësimit.

“Vendimi është marrë për t’u mbyllur dhe vendimi me shkrim u është dërguar shkollave në muajin gusht. Qëllimi i mbylljes është se ky gjimnaz nuk i plotëson kushtet për mbarëvajtjen e mësimit. Ne si drejtori kemi kërkuar që të bëhet edhe një vlerësim shtesë për të parë nëse i plotëson apo jo kushtet për renovim, e pastaj do të shohim se çfarë do të bëhet me objektin a do të rrënohet apo jo”, ka thënë Shala. /Telegrafi/