Prurjet e ricikluara të partive

Tash kur ende nuk ka nisur fushata për zgjedhjet e parakohshme partitë politike kanë nisur t’ia prezantojnë publikut aderimet e reja. Në mesin e tyre ka edhe ish-ministra, ish-deputetë e ish-kryetarë komunash, të cilët para procesit të ri elektoral kanë zgjedhur të shëtisin nga një subjekt në tjetrin. Një praktikë e tillë sipas analistëve vlerësohet të jetë vetëm një riciklim i figurave politike, shkruan gazeta “Zëri”.

Menjëherë pas shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës (më 22 gusht), përfaqësuesit e subjekteve politike nisën t’i prezantojnë aderimet e reja në partitë e tyre. Por, pos rishtarëve, atyre që nuk kanë qenë më parë të përfshirë në politikë, pjesa dërrmuese e këtyre prurjeve janë figura me stazh jo të vogël në politikë, por që kanë braktisur një subjekt të caktuar për të kaluar në një tjetër parti.

Megjithëkëtë, zyrtarët e partive thonë se aderimet e reja përveç subjekteve të tyre u ndihmojnë edhe qytetarëve e Republikës së Kosovës.

Me anë të një praktike të tillë të prezantimit të vazhdueshëm të prurjeve, përfaqësuesit e partive sipas njohësve të çështjeve politike synojnë të krijojnë një iluzion optik tek opinioni se kinse një numër i madh i njerëzve po u bashkohet atyre. Sidoqoftë, ata konsiderojnë se figurave të reja, që nuk kanë qenë më parë në politikë, duhet t’u jepet hapësira e nevojshme nga partitë përkatëse ku kanë aderuar. /Zëri/