PSD i propozon Qeverisë hartimin e një plani të ri kundër COVID-19

Partia Socialdemokrate ka deklaruar se pandemia e ka gjetur Kosovën me një sistem të brishtë shëndetësor dhe se ka shkaktuar një krizë e cila edhe po vazhdon të thellohet, për çka sipas tyre, arsye për krizën aktuale është edhe mungesa e një strategjie të qartë afatgjate në ballafaqimin me pandeminë nga të dy qeveritë që u përballën me të.

PSD, përmes një komunikate për medie ka thënë se Qeveria aktuale duhet të filloj me hartimin e një plani që përfshinë disa hapa.

“Qeveria duhet një orë e më parë të fillojë më hartimin e planit që përfshinë, ndër të tjera edhe këta hapa: Kosova ka nevojë për epidemiologë, infektologë, mikrobiologë dhe aparatura diagnostifikuese RT PCR për SARS COV 2. Këtë ndihmë duhet ta kërkojmë jashtë Kosovës, nga vende qe kanë kapacitete të tilla, Qeveria duhet të fillojë me urgjencë testimin masiv serologjik të qytetarëve, për të njohur situatën epidemiologjike, Sipas protokolleve të ndryshme ndërkombëtare, kategoritë më të ndjeshme ndaj sëmundjes përfshijnë personat mbi 70 vjet, personat me sëmundje të caktuara kronike si diabeti, sëmundjet e sistemit respirator dhe kardiovaskular, personat me kancer dhe në kimioterapi, personat obezë etj. Për këtë arsye, trajtim i veçantë i i këtyre kategorive që përfshinë masat parandaluese dhe informimin e tyre dhe familjarëve të tyre për to është i domosdoshëm. Duhet të hartohet një strategji e detajuar për ndërgjegjësim të qytetarëve rreth mënyrës dhe rëndësisë së parandalimit të sëmundjes. Komunikimi me publikun është jetik. Krahas kësaj, puna duhet të shtohet dhe të marrë një dinamikë të re”, thuhet në komunikatën për medie.

Komunikata e plotë:

Pandemia Covid-19 është preokupimi kryesor në botë ç’prej paraqitjes së virusit, në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo pandemi e gjen Kosovën me një sistem shumë të brishtë shëndetësor dhe ka shkaktuar një krizë e cila po thellohet , duke rrezikuar daljen e plotë nga kontrolli.

Arsyet e gjendjes aktuale janë të shumta. Sistemi shëndetësor i rrënuar nga mungesa e politikave shëndetësore dhe korrupsioni sistemik është qartë i paaftë të përballet me një krizë që po gjunjëzon edhe sisteme shumë më të avansuara shëndetësore. Përveq kësaj, arsye për krizën aktuale është edhe mungesa e një strategjije të qartë afatgjate në ballafaqimin me pandeminë nga të dy qeveritë që u përballën me të.

Këto qeveri, pa vizion e kanë trajtuar situatën në panik, me vendime Ad Hoc, pa bazë ligjore dhe shpesh të parealizueshme. Përderisa në dy muajt e parë kemi pasur bllokim total shoqëror, nga qershori kemi një hapje pothuajse totale. Asnjëra nga këto masa nuk u shoqërua me një strategji ose planifikim më afatgjatë.

Është folur vazhdimisht për rritje të kapaciteteve të testimit, këto kapacitete ku përfshihen mikrobiologët dhe pajisjet teknike, janë të njëjta sikurse në fillim të pandemisë para 4 muajsh. Edhe pse vonesa kaq e madhe është e pafalshme, mosveprimi urgjent sot do të ishte tragjik.

Është e kuptushme që ndjeshmëria e qytetarëve ndaj rrezikut nga sëmundja nuk është sikurse në ditët e para të pandemisë. Prandaj, Qeveria duhet ta intensifikojë dhe përmirësojë komunikimin e saj me publikun. Ministri Zemaj po dështon plotësisht në këtë pikë. Manuali 150 faqësh, është manual për dështim.

Paralelisht me rrezikun akut shëndetësor po vazhdon të përkeqësohet edhe gjendja e ekonomisë së vendit dhe cenimi i demokracisë. Edhe në këtë pikë kishte e vazhdon të ketë ngathtësi në veprime e masa të pamjaftueshme të emergjencës dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Qeveria duhet një orë e më parë të fillojë më hartimin e planit që përfshinë, ndër të tjera edhe këta hapa:

Kosova ka nevojë për epidemiologë, infektologë, mikrobiologë dhe aparatura diagnostifikuese RT PCR për SARS COV 2. Këtë ndihmë duhet ta kërkojmë jashtë Kosovës, nga vende qe kanë kapacitete të tilla.
Qeveria duhet të fillojë me urgjencë testimin masiv serologjik të qytetarëve, për të njohur situatën epidemiologjike.
Sipas protokolleve të ndryshme ndërkombëtare, kategoritë më të ndjeshme ndaj sëmundjes përfshijnë personat mbi 70 vjet, personat me sëmundje të caktuara kronike si diabeti, sëmundjet e sistemit respirator dhe kardiovaskular, personat me kancer dhe në kimioterapi, personat obezë etj. Për këtë arsye, trajtim i veçantë i i këtyre kategorive që përfshinë masat parandaluese dhe informimin e tyre dhe familjarëve të tyre për to është i domosdoshëm.
Duhet të hartohet një strategji e detajuar për ndërgjegjësim të qytetarëve rreth mënyrës dhe rëndësisë së parandalimit të sëmundjes. Komunikimi me publikun është jetik. Krahas kësaj, puna duhet të shtohet dhe të marrë një dinamikë të re.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta rrisin kujdesin, sepse është arma kryesore në ballafaqimin me rrezikun që po na kanoset. Kjo nënkupton zbatimin e përpiktë të masave parandaluese tashmë të njohura. Kujdesi për shëndetin publik është kujdes për shoqërinë dhe familjen.(sic) /Telegrafi/