Pse Kosova nuk po i përgjitet planit për Gazsjellësin nga SHBA-ja, flet Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës, sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e projektit për gazsjellësin. Kështu është përgjigjur e para e shtetit për DeutcheWelle kur është pyetur se pse ka refuzim nga ana e Kosovës për një iniciativë të tillë që ka përkrahjen amerikane.

“Përse Kosova akoma nuk i është përgjigjur planit për Gazsjellësin Ballkanik. Pse ka një refuzim nga ana e Kosovës për këtë iniciativë, e cila është përkrahur edhe nga Amerika?”, thuhet në pyetjen e DW.

Derisa presidentja Osmani ka thënë se s’ka refuzim dhe se thjeshtë çështja është duke u shqyrtuar nga institucionet relevante, megjithatë thotë se a i përket aspektit gjeostrategjik, Kosova s’ka rrugëdalje tjetër përpos të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës. Por pastaj unë e kuptoj që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera. Si person që vërtet lufton që Kosova t’i arrijë këto qëllime të veta për energji të gjelbër natyrisht që unë e kuptoj që gazi nuk është 100 për qind i pastër. Mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër dhe po ashtu është fazë tranzicionale”, ka thënë presidentja Osmani.