Pse nuk kryhen më shumë teste COVID-19? Sqaron IKSHP

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar 2 rastet e para, deri me 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 362 raste.

Deri me datë 13 prill janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve. Duke e përcjellur numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, vërehet tendencë e rritjes së shpërndarjes së COVID-19 në vend dhe në botë.

IKSHP-ja mbrëmë ka ragur ndaj kritikave dhe pyetje të ngritura për punën e këtij Institucioni.

Në këtë reagim IKSHP ka sqaruar buimet dhe kapacitetet që i kanë për punë.

Në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).
Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë).

Aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë.

IKSHP-ja ndër të tjera sqaron se për të kryer më shumë testime së  pari do të ishte më mirë që të kishim pasur më shumë laboratore për diagnostikë molekulare në sektorin shëndetësor dhe më shumë personel të specializuar në këtë procedurë diagnostike. Por këto kapacitete njerëzore dhe laboratorike nuk mund të krijohen për 2-3 javë e as për 2-3 muaj. Edhe një specialisti të dedikuar për të punuar në diagnostikë molekulare i nevojiten rreth 6 muaj për trajnim në mënyrë që të punojë i pavarur.

Prandaj, të vendoset si cak i kritikave se pse nuk po testohen më shumë njerëz në Kosovë për COVID-19, një laborator, përkatësisht shërbimi diagnostik i sëmundjeve ngjitëse të të cilit i janë neglizhuar me vite nevojat për burime njerëzore të bëra si kërkesa të vazhdueshme, për pajisje, për hapësirë të punës, si dhe për buxhet, nuk mund të jetë aspak korrekte.

Që nga fillimi i gjendjes me pandeminë COVID-19 personeli i laboratorit është duke punuar shtatë ditë në javë, pa ndonjë orar të caktuar me afro 16 orë në ditë

”  Si dhe punojmë në shtetin që ka ndarë më së paku për shëndetësi në Evropë për shumë vite me radhë.

Ndaj jemi duke iu bërë thirrje që në rast se nuk keni mundësi profesionale të na ndihmoni në këtë situatë:

Ju lutemi së paku të mos na kritikoni pa bazë, sepse është duke u dhënë maksimumi i angazhimit në rrethanat që kemi.

Çdo kritikë e pabazuar mund të jetë me ndikim në rëndimin e situatës epidemiologjike dhe në demotivimin e stafit të përkushtuar në realizimin e vëllimit të stërngarkuar të punëve në ballafaqimin me epideminë. ” thuhet në reagimin e IKSHP-së.

Tags: