Pse u bë sot publik lajmi nga Haga për aktakuzat kundër Thaçit e Veseli të dorëzura në Prill?

Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë bërë të ditur sot me anë të një njoftimi për media se me datë 24 prill kanë dorëzuar në Dhomat e Specializuara një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, raporton Gazeta Express.

Në këtë njoftim thuhet se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Specializuar ka dhënë edhe një arsyetim se pse e kanë nxjerrë këtë aktakuzë, para konfirmimit të saj.

Sipas njoftimit, Thaçi dhe Veseli kanë bërë përpjekje të përsëritura për të penguar dhe sabotuar punën e Gjykatës.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim