Publikimi i Thaçit në Twitter bllokoi njohjen nga Xhamajka

Publikimi i presidentit Hashim Thaçi se ka marrë njoftim nga ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, për njohje nga Xhamajka, i ka kushtuar Kosovës me bllokim të njohjes nga ky shtet.

Në komunikimet e brendshme të njoftimeve rreth njohjes së Kosovës nga Xhamajka. Në to, ambasadorja e Kosovës në SHBA iu kishte sugjeruar autoriteteve në Prishtinë që të mos publikojnë këtë informacion pa marrë notën verbale.

“Për publikim është mirë të presim notën verbale”, thuhet në këto komunikime.

Por, vetëm pak orë më vonë Presidenti i Kosovës ka shpërfillur këtë kërkesë dhe publikoi lajmin në Twitter, çka nxiti reagimin e autoriteteve xhamajkane. Siç mësohet, Serbia me të parë situatën se ekziston mundësia e njohjes, ka reaguar ndaj Xhamajkës duke arritur të ndikojë në autoritetet atje për të ndalur procesin.

Publikimin që dje bëri Thaçi e demantoi sot ministrja e Jashtme e Xhamajkas. Kamina J Smith tha të premten në mëngjes se deri tash vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

Reagime të shumta pati në Kosovë menjëherë pas postimit të Smithit. Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se pas shqyrtimit të situatës, do të merren masa përkitazi me përgjegjësitë e secilit zyrtar. Pas publikimit të Thaçit të enjten, të gjithë liderët e Kosovës përshëndetën njohjen nga Xhamajka.

Konjufca: Do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.

Thaçi ka refuzuar të flasë për demantimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nga ana e Xhamajkës. Pas akademisë përkujtimore për heroin Shaban Polluzha, gazetarët kanë pyetur Thaçin për ngjarjet e fundit, por pavarësisht insistimit, ai nuk ka pranuar të flasë./Koha,net/.