Punëtorët e aeroportit paralajmërojnë grevë

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mbajtur një protestë paqësore njëorëshe ku kanë shpalosur kërkesat e tyre ndaj menaxhmentit të këtij institucioni.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi, ka thënë se kërkesat e tyre kanë qenë të ligjshme ndaj padrejtësive dhe torturave që po ju bëhen atyre.

Latifi për klankosova.tv tha se do të hyjnë edhe në grevë deri në një muaj nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.

“Kuvendi i Sindikatës ka përcjellë kërkesat e punëtorëve dhe unanimisht është votuar që pas kësaj proteste menaxhmentit t’i jepet kohë 10 ditë. Pas këtij afati nuk do të ketë më protestë por grevë. Më 19 gusht do të mbajmë grevë njëorëshe, një ditë më vonë do të ketë grevë dyorëshe dhe nëse nuk na realizohen kërkesat do të mbajmë grevë një muaj”.

“Si kërkesë të parë për menaxhmentin e kemi pasë që të ulemi dhe të bashkëbisedojmë për problemet tona, por ata i kanë injoruar 570 punëtorë”.

Latifi tha se ata kanë shpalosur pesë kërkesat e tyre kryesore në protestën e sotme, transmeton Klan Kosova.

“Janë pesë kërkesa. E para është kompensimi dhe benefitet të tjera të rrezikshmërisë, pushimi vjetor, përvoja e punës për detyra dhe punë në shërbimet që janë të ekspozuara direkt me dëmtimin e shëndetit të punëtorëve. Kërkesa e dytë është të eliminohen dallimet në paga në rastet ku punëtorët kanë detyra dhe përshkrim të njëjtë të punës, orë të njëjta të punës, duke ngritur pagat në nivel të barabartë. Kërkesa e tretë është të paguhet përvoja e punës 0.5 për qind, kërkesa e katërt janë orët e punës gjatë vikendeve dhe kërkesa e pestë është të kemi një shujtë pasi që me 200 euro rrogë nuk mund ta sigurojmë edhe atë”.

Ai tha se janë në gjendje t’i argumentojnë të gjitha këto nevoja bazike të punëtorëve.