Pupovci: Njohja e diplomave ndërkombëtarisht do të jetë më e ndërlikuar

Njëra nga arsyet që e shtyri ENQA-n të marrë vendim për përjashtimin e AKA-s është ndërhyrja politike, që është bërë në këtë institucion e për të cilën më së shumti u akuzua ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi. Në reagimin e BE-së thuhet se ndërprerja e anëtarësimit të Kosovës në ENQA është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, shkruan Gazeta “Zëri”.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për “Zërin” se nga vendimi i ENQA-s do të dëmtohen të diplomuarit në Kosovë. Sipas tij, procesi i verifikimit të diplomave tani do të jetë më i ndërlikuar.

“Dëmi më i madh është shkaktuar për faktin se arsimi i lartë në Kosovë ka mbetur pa një mbikëqyrje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe në këto kushte vendimet e AKA-s nuk i nënshtrohen asnjë lloji të monitorimit. Kjo mund ta inkurajojë një pjesë të klasës politike të Kosovës që të vazhdojë me presionet ndaj AKA-s, me qëllim të realizimit të interesave të veta klienteliste dhe biznesore, pa rrezik se kjo mund të ketë kosto për statusin e Agjencisë në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë ai për ‘Zërin”.

Pupovci ka thënë se e gjithë kjo situatë është shkaktuar nga shkarkimi i Bordit të AKA-s nga ana e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, në shtatorin e vitit 2017.

“Pesha e këtyre veprimeve është kuptuar 5-6 muaj më vonë, kur ndodhi përjashtimi i AKA-s nga EQAR-i dhe këtu ka filluar një fazë e ‘tërheqjes’, duke lejuar që të emërohet një bord përmes procedurave transparente. Megjithatë, sa herë Bordi ka marrë ndonjë vendim të rëndë kanë ndërhyrë zyrtarët e koalicionit PAN, duke dëshmuar se nuk e kanë për qëllim ta lënë të punojë i pavarur. Kjo tregon sa i politizuar është sistemi i arsimit të lartë në Kosovë dhe kjo kërkon vëmendje të veçantë nga institucionet që do të dalin nga zgjedhjet”, ka shtuar ai. /Zëri/