Pupovci: Qeveria nuk ka punë dhe as që bën të përzihet në punë të universiteteve

Eskperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, është deklaruar rreth vendimit të fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e universiteteve publike në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren si dhe rreth reagimit të Kryeministrit Haradinaj në kundër këtij vendimit.

Pupovci, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale, ka qartësuar se nuk bëhet fjalë për mbyllje por për mosakreditim të universiteteve publike dhe gjithashtu ka sqaruar procedurat të cilat do të vijojnë deri në marrjen e vendimit përfundimtar përkitazi më këtë çështje.

Ai më tej ka apeluar tek Kryeministri Haradinaj dhe te Qeveria e Kosovës që të mos ndërhyjnë në procesin e vendimmarrjes duke thënë se vlerësuar se ndërhyrjet politike në procesin e akreditimit në të kaluarën i kanë kushtuar shumë Kosovës.

Ky është postimi i plotë i Dukagjin Pupovcit:

Sot nuk është marrë vendim për mbylljen e universiteteve në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren, por është marrë vendim për mosakreditimin e tyre. Brenda një viti duhet të bëhet vlerësimi tjetër dhe, nëse përsëri rezulton me mosakreditim të ndonjërit, atëherë universiteti përkatës mbyllet. Pra, ka kohë deri në mbyllje dhe kjo kohë duhet të shfrytëzohet për adresimin e vërejtjeve nga raporti i vlerësimit, pa paragjykuar motivet e vlerësuesve dhe “agjendat e fshehta” të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Këshilli vetëm po e kryen punën e vet, ashtu si e kryejnë autoritetet e pavarura në mbarë botën, pa kërkuar mendim dhe pëlqim nga Qeveria. Nëse kanë gabuar në procedurë ekziston Komisioni i ankesave, pastaj Gjykata.

Qeveria këtu nuk ka punë dhe as që bën të përzihet. Ndërhyrjet politike në procesin e akreditimit na kanë kushtuar shumë. Para dy vitesh, një ndërhyrje e ngathtë politike rezultoi me përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë (EQAR), ndërsa ndërhyrja që po përgatitet do të ketë një efekt të ngjashëm – përjashtimin e Agjencisë nga Rrjeti Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA), ku statusi i saj tanimë është degraduar në “agjenci nën vëzhgim”. Kjo sjell izolimin e plotë të Kosovës nga Hapësira Evropiane e Arsimit të Lartë, dhe, në kushte të tilla, akreditimi e humb kuptimin e vet, ndërsa diplomat e arsimit të lartë e humbin vlerën jashtë kufijve të vendit.