Zyrtari ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu ka publikuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku jepen arsyet se pse është dënuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me shumën prej 20 mijë eurosh, ndërsa Partia Demorkatike e Kosovës me 1 mijë euro.

Përmes një postimi në Facebook, Sallahu ka thënë se AAK-ja është gjobitur për shkak të një videoje linçuese ndaj U.D së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa PDK-ja për shkak te një videoje ku ishte përdorur gjuhë e urrejtjes ndaj kreut të LVV-së, Albin Kurti.

“Duke u bazuar në ankesat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, PZAP ka gjobitur AAK-në dhe PDK-në për përdorim të Gjuhës së Urrejtjes ndaj U.D Presidentës, Vjosa Osmani dhe ndaj kryetarit të Lëvizja VETËVENDOSJE! Albin Kurti. AAK, përmes një videoincizimi kishte përdorur gjuhë linçuese e degraduese, që në vetvete përbën gjuhë të urrejtjes duke e krahasuar U.D Presidenten Vjosa Osmani me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Dhe për këtë ky  subjekt politik është gjobitur me 20,000.00 (njëzet mijë euro)”, shkruan Sallahu.

 

“Në vazhdën e kësaj, mbështetësi i Pdk-së, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj kryeministrit të ardhshëm Albin Kurti, duke manipuluar me një vidoincizim kinse në një tubim të mbajtur në Shtërpcë, Lista Serbe po e përkrah Lëvizjen Vetëvendosje. Në postimin e tij në facebook, ai kishte krahasuar Albin Kurtin me figurën e Esat Pashë Toptanit. Prandaj PDK është gjobitur me 1,000.00 (një mijë euro). Nxitni, përçani, linçoni, e degradoni, por vullnetin e qytetarëve për ndryshim dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk mund ta ndaloni”, shkruan Sallahu.

Ndryshe, PZAP-ja ka shqiptuar sot gjoba të cilat kanë arritur vlerën e afro 43 mijë eurove.

Sipas njoftimit të PZAP-it, AAK-ja është dënuar me 22 mijë e 700 euro, Nisma Socialdemokrate 20mijë euro dhe PDK-ja me 1 mijë euro. /Telegrafi/