Qeveria i reagon ashpër Vuçiqit pas paralajmërimit për investimin e 80 milionë eurove në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka njoftuar sot se do të bëjnë investime të mëdha në Kosovë.

Ai ka thënë se Serbia do të investojë mbi 80 milionë euro në rajonin e Dukagjinit dhe të Anamoravës.

Këto premtime, Haki Shatri këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj i sheh si një fushatë dhe propagandë të Serbisë që t’i mbajë popullatën serbe që jetojnë në Kosovë me shpresë se do kujdesen për ta.

“Ato janë fushata, propaganda me joshë, me i mbajtur popullatën serbe në shprese qe ai (Vuçiqi) po kujdeset për ata.

Ata mundohen me këtë farë reklame, me i mbajt me shpresuar që Serbia është shpëtimtarë i tyre e mos me i lanë me u integru në jetën normale në Kosovë dhe me i pas shpresat e lidhura me të”, ka deklaruar Shatri për Reporteri.net.

Ai më tej thotë se serbët në Kosovë i kanë të gjitha të drejtat dhe nuk ju mungon asgjë, dhe njëjtë si shqiptarët përfitojnë edhe subvencione.

“Send nuk është duke ju munguar serbëve, e kanë infrastrukturën rrymën, gjërat e domodoshme për jetë. I kanë të siguruara çdo gjë me Kushtetutë e ligje, kush nuk është ka i cenon. Ju japin subvencione për bujqësi, çka ju japin shqiptarëve i marrin edhe serbët, s’ka kurrfarë diskriminimi”, ka deklaruar Shatri.