Qeveria lejon kyçje të reja në autostradë

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar vendimi për ndërtimin e dy kyçjeve të reja në autostradën “Arbën Xhaferi”. Njëra kyçje do të ndërtohet në Komunën e Ferizajit si vazhdim i rrugës “Driton Islami” në këtë qytet si dhe njëra kyçje në Komunën e Vitisë. Qeveria gjithashtu ka njoftuar të ketë marrë vendim për ndërtimin e mbikalimit në Autostradë për nevoja të fshatit Paldenicë në Han të Elezit.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe Qeverisë së Maltës për Transport Rrugor Ndërkombëtar të Udhëtarëve dhe Mallrave. Po sot, miratim nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë marrë edhe Udhëzimi Administrativ për Mirëmbajtjen e Bazës së të Dhënave dhe Obligimet e Autoriteteve Publike dhe Personave tjerë Fizik e Juridik, si dhe Plani Vjetor i Statistikave Zyrtare për vitin 2020.