Qeveria ndan mjete për viktimat e dhunës seksuale

Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, në shumë prej 161,650 euro.

“Sipas kërkesës së Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, për përmbushjen e obligimeve ligjore të aktiviteteve për zbatimin e të cilave kërkohet mbështetje buxhetore”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Për të lehtësuar sado pak gjendjen e kësaj kategorie, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.