Qeveria pritet të marrë vendim të ri: Paralajmërohet ashpërsim i masave për shkak të rritjes së rasteve me Covid- 19

Pritet që gjatë këtyre ditëve të merren masa të reja anti-Covid. E gjithë kjo, për shkak të rritjes së rasteve me këtë sëmundje gjatë ditëve të fundit.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e masave të reja. Ai ka thënë se janë duke e vlerësuar situatën në vend.
“Ne bashkë me Instituti e Shëndetit Publik dhe me institucionet e tjera jemi duke e vlerësuar situatën epidemiologjike në vend, nuk kemi ndonjë propozim. Të enjten e kem takimin e Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Covid-19 do ta vlerësojmë situatën pastaj do të vendosim”, ka deklaruar Zemaj.
Ndryshe, në dy ditët e fundit kemi parë rritje të madhe të rasteve me Covid. Për më tepër, është rritur dukshëm edhe numri i të vdekurve.
Derisa ditën e djeshme IKSHP ka njoftuar për 9 raste të vdekjes nga Covid- 19, të hënën IKSHP ka konfirmuar 10 viktima nga koronavirusi.
Ekspertët shëndetësor konsiderojnë se fushata e zgjedhjeve të kaluara ka ndikuar në rritjen enorme të rasteve me koronavirus, ku nuk janë respektuar rekomandimet e IKSHP-së nga ana e partive politike, duke zhvilluar tubime të mëdha.
Në anën tjetër, gastronomët kanë paralajmëruar mos respektim të masave të reja, për shkak se sipas tyre, partitë politike ishin fajtore për rritjen e këtyre rasteve.