Qeverisë i del punë edhe me punëtorët e Lotarisë, protestojnë të hënën

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës këtë të hënë pritët sërish të dalin në protestë para objektin të Qeverisë.

Përkundër se këtë fillim jave ata protestuan, kërkesat e tyre nuk po merren parasysh dhe përmes protestës së dytë ata presin diçka më konkrete nga institucionet përgjegjëse që të iniciohet ligji për Lotarinë e Kosovës.

Anëtar i kryesisë së Sindikatës së Lotarisë së Kosovës, Ismet Uka në një intervistë për KosovaPress, thotë se përmes kësaj proteste ata do të bëjnë trysni që kërkesat e tyre thelbësore të realizohen.

“Të hënën vazhdon protesta e njëjtë sikur javën e kaluar, kërkesat janë të njëjta. Presim sigurisht diçka më konkrete. Presim këtë rast më konkrete diçka prej Qeverisë. Të hënën e kaluar kryeministri nuk ishte këtu, ishte jashtë vendit. Por kishim një takim me zyrtarin politik të tij i cili na premtoj dhe tha se është duke punuar në ligjin. Por deri në këtë moment nuk kemi asgjë konkrete…arsyeja e protestës është që të shprehim pakënaqësitë tonë dhe një herë për shkak të mos inicimit të ligjit. S’kemi kërkesa shtesë, përveç kërkesës parësore dhe thelbësore inicimin sa më shpejt të ligjit dhe ai të procedohet pastaj dhe të votohet sa më shpejt në Kuvend”, thotë ai.

Uka thotë se kjo situatë i ka pruar ata qe dy muaj në gjendje të rëndë financiare, pasi sipas tij, kanë mbetur pa paga dhe të gjithë punëtorët janë mbajtës të familjeve.

“Vështirësitë janë të mëdha sepse ne kemi mbetur faktikisht pa paga, si të mos kesh punë, aktivitet nuk ka as paga. Kështu që vështirësitë janë mjaft të mëdha. Punëtorët kanë obligime bankare, përmes hipotekës dhe një pjesë e madhe e punëtorëve që janë 66 me kontrata të rregullt janë mbajtës të familjeve” thotë Uka

Anëtari i kryesisë, mes tjerash i renditi të gjitha kërkesat e tyre karshi Qeverisë, duke theksuar se deri në realizim të qëllimit të tyre nuk do të ndalojnë protestat.

“Inicimi sa më i shpejt i Ligjit për Lotarinë e Kosovës, Ligji i veçantë. Dihet se Qeveria duhet të merr vendim. Pastaj Qeveria duhet të adresoi në rastin konkret Ministrinë e Financave për të proceduar në grupin punues komisionin parlamentar që është dhe të shkohet në një procedurë sa më të shpejt në Kuvend. Kërkesë e dytë ka qenë marrja përsipër e pagave nga Qeveria e Kosovës. Siç dihet Lotaria e Kosovës është ndërmarrje publike, aksionar dhe pronar është Qeveria, ku përveç të drejtave këtë rast duhet të merr dhe obligimet. Pastaj si kërkesë e tret ka qenë që këtë mbylljen e veprimtarisë sonë e kemi pas të papritur dhe kemi obligim ndaj qiradhënësve, lokalet që i kemi me qira në gjitha qytetet e Kosovës”, thotë ai.