QKUK dhe Spitali i Ferizajt pajisen me rentgenë mobil në vlerë prej mbi 90 mijë euro

Mjekimi Intensiv Qendror në QKUK dhe Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt janë pajisur me rëntgenë mobilë.

Sipas një komunikate për medie nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ky investim është bërë në kuadër të furnizimit me pajisje moderne, me synim të rritjes së kualitetit dhe shkurtimit të pritjeve nga pacientët për shërbime mjekësore.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka ndarë më shumë se 90 mijë euro për këto dy pajisje, me të cilat stafi shëndetësor do të fillojë punën shumë shpejt”, thuhet në njoftimin për medie.

Furnizimi i Qendrës Klinike Universitare dhe spitaleve të përgjithshme me aparaturë të re, është parë si nevojë e domosdoshme nga menaxhmenti i SHSKUK-së, për ta përmirësuar gjendjen në ofrimin e shërbimeve dhe përmirësimit të kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë.