Qytetarët me shpresa të vakëta për zgjedhjet e 6 tetorit

Zgjedhjet e reja do të ndodhin më 6 tetor, por qytetarët e Kosovës nuk presin ndryshime të mëdha. Ata janë skeptikë se pas zgjedhjeve do të realizohen premtimet e mëdha, të cilat po jepen në fushata zgjedhore, shkruan gazeta “Zëri”.

Liderët politikë në Kosovë kanë filluar avazin e premtimeve, ani pse fushata zgjedhore ende nuk ka filluar. Vende të reja të punës, luftim të korrupsionit, liberalizim vizash e premtime të tjera të shumta nga pretendues të subjekteve politike, secili më të mëdha se tjetri. Mirëpo këto fjalë të mëdha të politikanëve duket sikur nuk po u bëjnë më përshtypje qytetarëve të Kosovës.

Derisa kanë folur për gazetën “Zëri” disa prej qytetarëve janë shprehur skeptikë se zgjedhjet e reja të pritshme do të sjellin ndryshime të dukshme.

Përkundrazi, ata konsiderojnë se situata do të mbetet sërish e njëjtë edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por ka nga ata që thonë se ndryshimi vjen vetëm nëse do të ndërrohej kasta politike ose edhe nëse qytetarët vendosin t’u japin shans liderëve, të cilët nuk kanë pasur rastin të dëshmohen. /Zëri/