Qytetarët në dilemë, Prizreni është apo nuk është në karantinë?

Qytetarët e Komunës së Prizrenit janë në dilemë të madhe nëse ky qytet është shpallur zonë në karantinë apo jo.

Kryetari i kësaj komune, Haskuka, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale, kishte deklaruar se ishte dakorduar me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që Prizreni të shpallet zonë në karantinë.

Sipas Haskukës, një vendim i tillë ishte marrë menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga IKSHP për testimet e sotme me ç’rast 16 qytetarë të Prizrenit kishin rezultuar pozitiv në COVID-19.

Megjithatë, Haskuka nuk ka ofruar asnjë informatë shtesë në këtë drejtim dhe nuk e ka publikuar as vendimin për shpalljes zonë karantinë të Prizrenit.

Nga ana tjetër, as Ministria e Shëndetësisë dhe as vetë Ministri Arben Vitia, nuk janë deklaruar fare lidhur me shpalljen e Prizrenit zonë në karantinë nuk ka asnjë reagim

Kjo ka bërë që qytetarët e Prizrenit të jenë në dilemë nëse qyteti ku jetojnë është nën karantinë apo jo, duke shtuar edhe mëtej panikun në mesin e tyre, posaçërisht pas rritjes drastike të të prekurve me COVID-19 në këtë qytet.