Qyteti i paprekur nga COVID-19 në Kosovë, por detyrohet të futet në karantinë!

Komuna e Dragashit është futur në karantinë, ani pse ajo deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virusin korona.

Deri të kjo situatë ka ardhur pasi mbrëmë Komuna e Prizrenit është futur në karantinë dhe Dragashi nuk ka ndonjë rrugë tjetër për tu lidhur me komunat tjera pa kaluar nëpër Prizren.

IndeksOnline ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabanin i cili ka thënë se me futjen e Prizrenit në karantinë, edhe qytetarëve të Dragashit iu pamundësohet hyrja dhe dalja në komunat tjera, pasi që nuk ka ndonjë rrugë-dalje tjetër.

“Nuk na pengon ky vendim asgjë, sepse është në të mirën tonë. Sikur të mos futej Prizreni ndoshta edhe ne ishim rrezikuar. Andaj e mirëpresim vendimin që Prizreni të futet në karantinë dhe detyrimisht jemi futur edhe ne”, ka thënë Shabani.

Ai ka thënë se në Dragash mund të futen vetëm ata persona që kanë leje nga institucionet dhe se kjo komunë tani është duke e zbatuar vendimin e MSh-së për ndalim-lëvizjen e qytetarëve nga ora 17:00 deri në 06:00.

Sipas kreut të komunës, aktualisht në Dragash nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 ndërsa sot e kanë përcjell një rast të dyshuar dhe janë në pritje të rezultatit.

“Ne kemi pas qytetarë në karantinë, mirëpo pasi iu është bërë testi kanë rezultuar negativ dhe kanë ardhur në Dragash. Sot po presim rezultatet e testit për një qytetar të cilin e kemi dërguar për analiza”, ka thënë Shabani. Numri total i rasteve aktive me COVID-19 në Prizren është 21. Vetëm mbrëmë janë konfirmuar 16 raste të reja./IndeksOnline/