Rahovecasi arrestohet, dyshohet se e vrau dhe dogji vëllaun e tij

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se është arrestuar dhe me pas ndaluar personi me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak e Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet se ka vrarë vëllain e tij B. K.

B.K kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, e fillimisht ishte paraqitur si i zhdukur nga familjarët e tij që nga data 14.02.2020.

Dyshohet se G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K. ku në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.

Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhoje e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit në polici, ku prezent ka qenë edhe prokurori i rastit, i dyshuari G.K. e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, duke përshkruar në hollësi mënyrën se si ka vepruar në ditën kritike.

Sipas njoftimit, me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë.