Rahoveci nis rregullimin e shtretërve të lumenjve

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se të premten ka nisur projekti për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve në këtë komunë.

“Me qëllim të parandalimit të ndotjes së lumenjve, e cila ndot në masë të madhe mjedisin, parandalimit të vërshimeve dhe rehabilitimin e atyre pjesëve që janë të nevojshme, sot, në Ditën Botërore të Planifikimit Hapësinor filluam në Nagavc projektin ‘Rregullimi i shtretërve të lumenjve nga Hoça e Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogël, Nagavc deri në Krushë të Madhe’, LOT 2, me vlerën: 555 535 87 euro, i cili përfshin vendbanimet Hoçë e Vogël, Nagavc dhe Krushë e Madhe”, ka thënë Latifi.

Më tutje, Latifi ka theksuar se projekti në fjalë është investim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe implementohet nga Komuna e Rahovecit.

“Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza, ndërtimi i urave, ndriçimi dhe stazat për ecje janë disa nga elementet që do ta përcjellin këtë projekt, i cili do të ketë dobi të shumta për banorët e kësaj zone. Duke e ditur që shkaktari kryesor i ndotjes së lumenjve është faktori njeri, lus që ta ruajmë duke shmangur të gjitha elementet që mund të çojnë në shkatërrim të kësaj që sot po fillojmë ta ndërtojmë”, ka deklaruar Latifi.