Rakiq: Albin Kurti organizoi rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se e ka organizuar sulmin ndaj të birit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Rakiqi ka shtuar se sulmi ishte organizuar përmes vetë Rashiqit dhe politikanes Rada Trajkoviq.

Siç raporton Tanjug, Rakiq ka apeluar te serbët në Kosovë që t’i besojnë Serbisë dhe Listës Serbe duke shtuar se “presioni, fabrikimet dhe gënjeshtrat do të vazhdojnë”.

Sipas tij, uniteti i serbëve “acaron armiqtë tanë më së shumti”.

Të martën i biri i Rashiqit u sulmua në Llapnasellë nga shumë persona. Tetë prej tyre u arrestuan. Liderët në Kosovë dhe ambasadorë të shumtë në vend kanë dënuar aktin.