Rama ende mban inati me Haradinajn, nuk ia përmend fare emrin

Pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit Haradinaj nga posti i shefit të Qeverisë së Kosovës reaguan të gjitha nga politika shqiptare pos tashmë homologut të tij nga Shqipëria, kryeministrit Edi Rama.

Më në fund kryeministri shqiptar ka reaguar, por pa ia përmendur emrin Haradinajt, ndonëse aludimi është i qartë.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Rama në Twitter.

Sidoqoftë, Haradinaj me Ramën në raste të shpeshta kishin pasur përplasje në mes vete, sidomos për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të të dyja vendeve.

Rama, i njohur për afërsinë e tij me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ishte përfolur gjatë se qëndron mbrapa idesë së këmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë.

Ndërsa, shkarkimi i ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati nga Rama, i cili kundërshtonte ashpër shkëmbimin e territoreve ishte konsideruar ndër të tjera eliminim i zërave kundërshtues ndaj kësaj ideje.