Rama ia dorëzon Erdoganit një gylenist të kërkuar

Policia në Shqipëri bëri të ditur se kreu procedurat për të larguar nga Shqipëria shtetasin turk Harun Çelik sapo përfundoi një dënim, që mori në Tiranë.

Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës” se “ky shtetas ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu. Ai është kapur me dokumenta false në dalje në aeroportin e Rinasit dhe për këtë arsye u dënua. Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.

Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se nuk kishte informacion tjetër.

Harun Çelik, 42-vjeçar, mësohet se ishte një mësues, pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, i cili në përpjekje për t’u larguar kërcënimeve nga atdheu i tij, u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë.

Turqia e akuzon klerikun fetar, Fethullah Gulenin për organizimin e një grushtshteti në vitin 2016, gjatë të cilit një fraksion i ushtrisë u përpoq, por nuk arriti ta rrëzojë Qeverinë turke.

Dhjetëra-mijëra njerëz janë arrestuar ose pushuar nga puna që nga përpjekja për grushtshtet në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016. / Koha.net