Rama: Kam qenë kundër ndryshimit të kufijve, Merkel u keqkuptua

Kryeministri Edi Rama ka dalë për herë të parë hapur kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve. Në intervistën për emisionin “Real Story” Rama u shpreh kundër kësaj ideje të cilën e konsideroi marrëzi.

“Të gjitha historitë që gjasme unë do ndakam Kosovën. Se shkoi Batoni në aneks dhe e copëtoi dhe ne e poqem në kuzhinë… Këto janë përralla që bëhen këtu për të përhapur urrejtje. Këtu kemi një sërë protagonistësh që janë gati të fusin në hell Shqipërinë, Kosovën vetëm që të nxijnë.

Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin këtë çështje dhe patjetër që Serbia të njohë Kosovën. Unë jam kundër shkëmbimit të territorit dhe jo përcaktimit të kufijve etnikë”– tha Rama që për herë të parë pranoi edhe se kjo çështje kishte krijuar një përplasje edhe me Gjermaninë.

“Kancelarja Merkel ishte keqkuptuar për shkak të këtyre këtu dhe kur unë ia shpjegova ajo tha se ishte dakord. SHBA dhe BE janë bashkë kundër shkëmbimit të territoreve”, – tha Rama.

Por vetëm pak kohë më parë Rama bënte fushatë në favor të Hashim Thaçit që ishte edhe mbrojtësi më i flaktë i idesë. Në atë kohë Rama shprehej se “ishte gomar ai që i thoshte Thaçit tradhtar”.

Në të gjitha daljet televizive, kryeministri shqiptar bënte në fillim rolin e atij që dëshironte të qëndronte asnjanës, por në shtjellimin e fakteve sillte vetëm ato në favor të një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit. Madje për disa analistë edhe qëndrimi asnjanës ishte një lloj pranimi publik që Rama i kishte bërë idesë së Thaçit.

Në një intervistë për emisionin “Open” në 14 shtator të 2018-ës, Rama do të shprehej se ishim para një “shansi historik”. Pavarësisht se këmbënguli disa herë se ishte shpejt që ai të prononcohej tha se: “kjo ende nuk është një platformë, por vetëm një ide ndaj nuk mund të përgjigjej”, ai lëshoi edhe fraza që do të mbahen mend gjatë.

Rama në një farë mënyre konfirmoi zërat se ishte pjesë e asaj marrëveshjeje që do të copëtonte Kosovën, pjesa e mbetur e së cilës do të bashkohej në një Shqipëri më të madhe.

“Pse nuk flisni për mundësinë e bashkimit kombëtar”, “kjo mundësi mund të mos na jepet më edhe për 30 vjet”, – shtoi ai.

Rama këmbënguli se në mendimin e tij edhe “SHBA është pro marrëveshjes” duke zgjedhur vetëm argumente që shkonin në favor të saj.

Në 21 shtator 2018 foli për të njëjtën temë edhe në emisionin “Opinion”.

“Mendimi im është ky: unë nuk kam përgjigje që të them se kjo është zgjidhje, por mund të them se nuk është kritikë për Hashim Thaçin, por mendoj se personalizimi i kësaj është diçka që mund të ketë çmim shumë të madh. E di se kush mund të jetë çmimi? Ne jemi para një shansi historik dhe ekzistojnë shumë pikëpamje që ta humbin apo ta fitojmë nëse sillemi si amatorë. Shansi i këtillë mund të vijë pas 30 viteve” – tha Rama.

Në prill 2018, Rama i pati premtuar Angela Merkel në një takim në Berlin se ishte kundër aventurës së shkëmbimit të kufijve, por kur u pyet në “Open” për divergjencat me kancelaren ai guxoi të thoshte: “Merkel mund të jetë kundër, por këtu flasim për atdheun tonë dhe jo për atë të kancelares”.

Sot Rama thotë se ishte një keqkuptim dhe fajëson të tjerët që kanë gatuar sipas tij skenarin e përfshirjes së Ramës në këtë histori.

Edhe shkarkimi nga detyra ministrit të jashtëm Ditmir Bushati, që kishte mbajtur të njëjtin qëndrim si Merkel, se ndryshimi i kufijve do të hapte kutinë e Pandorës kishte si arsye përplasjet për këtë çështje.

Konfirmimin më të drejtpërdrejtë se Rama ka qenë në mbrojtje të idesë së ndryshimit të kufijve e ka bërë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një intervistë në RTK në 1 mars të këtij viti, Haradinaj tha se Rama dhe Thaçi ishin bashkë.

“Presidenti Thaçi, kryeministri Rama e kanë pëlqyer këtë ide për shkëmbimin e territoreve. Është lënë të nënkuptohet në shumë raste se një opsion i tillë është miratuar dhe pëlqyer nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Rama. Unë e kam këshilluar që është retorikë e gabuar sepse merret në qafë një popull i tërë sepse hapen kufijtë dhe s’dihet si mbyllen”, – tha në atë kohë Haradinaj.

Sot që duket se plani Rama-Thaçi-Vuçiç për ndryshimet e kufijve është varrosur pas samitit të Berlinit, kryeministri shqiptar nxiton të dalë publikisht kundër një ideje të rrëzuar. / LAPSI.al