Rama në Athinë, deti dhe minoriteti në fokus

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua këtë të martë në Athinë me homologun e tij grek, Kiriakos Micotakis.

Kreu i qeverisë u prit në zyrën e Micotaqis i shoqëruar nga ministrja e Infrastruktures dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ambasadorja shqiptare në Athinë, Adriana Hobdari etj.

Takimi mes dy liderëve zgjati 60 minuta, bën të ditur VizionPlus.

Shefat e qeverive diskutuan gjerësisht çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.

Në fokus të bisedës ishte Marrëveshja e pafinalizuar e Detit dhe rritja e bashkëpunimit dhe investimeve.

Ndonëse nuk ka ende detaje nga takimi, Kiriakos Micotakis, sipas mediave greke parashtroi kërkesat e Athinës zyrtare në lidhje me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.

Ky është takimi i dytë mes Rames dhe Mitsotakis, pas atij në New York, të zhvilluar në fund të shtatorit gjatë punimeve të asamblesë së përgjithshme të OKB-së.

Më herët gjatë ditës shefi i qeverisë mori pjesë në Samitin Botëror për Partneritetin Strategjik mes Europës dhe vendeve arabe, të zhvilluar në Athinë.

Në nisje të fjalës kryeministri korrigjoi moderatorin e samitit, i cili e quajti Ramën ish ministër të Punëve të Jashtme, duke u bërë të ditur të pranishmëve se vijon ende ta ushtrojë këtë detyrë.

“Është e re për mua që paskam qenë ish ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në fakt vijoj të jem por s’ ka problem. …Për krizën e refugjateve, Greqia është shembull i përpjekjeve të mëdha. Ajo është treguar e gatshme për të ndihmuar dhe mirëpritur njerëz të dëshpëruar që vijnë nga zonat e konfliktit. Greqia dhe Italia po vuajnë për të rënë dakord për një politikë të perbashkët si duhet të zgjidhet i gjithë problemi në Europë”, ka thënë Rama.

Ndërkohë në samit kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis iu referua rolit të Greqisë si një shtyllë e stabilitetit dhe një lidhje midis vendeve të Mesdheut Juglindor, si dhe Evropës me Lindjen e Mesme dhe botën Arabe.