Rama në SHBA: FSK e gatshme të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili gjendet për vizitë zyrtarë në SHBA, ka zhvilluar takime të ndara me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan. Gjatë këtyre vizitave, Rama ka njoftuar amerikanët në lidhje me zhvillimin e FSK-së si dhe gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse.

Ai është takuar me drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Susan Falatko. “Me këtë rast komandanti i FSK-së e njoftoi znj. Falatko për progresin e FSK-së në këtë fazë tranzicioni, mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mes të dy vendeve mike me qëllim të vazhdimit të ndërtimit të aftësive të reja në bazë të Planit Gjithëpërfshirës për Tranzicionin e FSK-së”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Po ashtu, kreu i FSK-së ka zhvilluar takim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së zv/drejtorin për Evropë, John Erath dhe drejtorin për Çështje të Evropës, William Berkley. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral Rama i njoftoi zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se FSK-ja vazhdon të jetë forcë profesionale, shumetnike dhe e gatshme për të qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse.

Ai ka falënderuar zyrtarët amerikanë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të dhe Ushtria Amerikane po i japin Kosovës dhe FSK-së.