Rama: Sot fitoi shpresa dhe qytetaria dhe humbi Shqipëria e djeshme pa din e as imam

Kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu drejtua para pak minutash gazetarëve dhe simpatizantëve të PS-së të mbledhur në selinë e kësaj partie.

Rama e quajti 30 qershorin si moment historik për Shqipërinë duke shtuar se se “Sot fitoi shpresa dhe qytetaria dhe humbi Shqipëria e djeshme pa din e as imam”.

“Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike të frymëzuar dhe organizuar për të ndaluar ecjen  tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror dhe integrimin e popullit shqiptar në familjen e Evropës. Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës që u kthye në ditëm kulmore të një përplasje historike mes të shkuarës dhe të ardhshmes, mes anti-shtetit dhe shtetit, mes politikës forcës dhe forcës së politikës, mes dhunës kërcënuese të së djeshme dhe shpresës së natyrshme të së nesërmes. Sot fitoi e ardhmja, shteti, fitoi qytetaria, fitoi shpresa, fitoi Shqipëria e nesërme, humbi me turp Shqipëria e djeshme e pa din dhe as iman”, tha Rama.

Ai i cilësoi këto zgjedhje si një fitore të shtetit. Rama falenderoi SHBA-të për, siç e cilësoi ai, mbështetjen e palëkundur që i dhanë këtij procesi. Kryeministri falenderoi edhe BE-në dhe partnerët e tjerë që dhanë një dorë në këtë betejë që ai e cilësoi sa të rëndë aq edhe absurde për një vend anëtar i NATO-s.