Rama voton në Surrel: Mësim që nuk do ta harrojë asnjë parti (Video)

Kryeministri Edi Rama ka votuar në shkollën e Surrelit në kryeqytet, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj.Linda Rama. Pas votimit, Kryeministri foli për mediat dhe tha se dita e sotme do të hyjë në histori jo për faktin se sa vota do të marrin kandidatët, por që u respektua sovraniteti i popullit.

“Sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve se sa vota për njërin apo për tjetrin që është e fshehtë. Unë besoj se kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, sovraniteti i popullit nuk është fjalë boshe dhe kush tenton t’i marrë popullit sovranitet nuk ka asnjë fund tjetër përveç fundit me dështim dhe me turp. Sot është e rëndësishme që çdo qytetar në këtë vend të votojë ose mos votojë por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose mosvotuar. Historia solli që këto zgjedhje janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike. Është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike”.

Kryeministri u pyet nga gazetarët edhe se çfarë do të ndodhë më 30 Qershor dhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, por refuzoi të përgjigjej.