Ramush Haradinaj shpall kandidaturën për President të Kosovës

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpallur publikisht kandidaturën për President. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur një gjë të tillë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të forcës politike që drejton.

Z. Haradinaj përveç autorizimit për të zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës për postin e presidentit, thuhet se me aleatin qeverisë do të diskutohet dhe për ndryshimin e kabinetit qeveritar.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, shprehet ai.

Z. Haradinaj ka bërë një kritikë të drejtpërdrejtë për qeverinë “Hoti” duke theksuar se është kundër dialogut teknik me Serbinë pasi “për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar”.

Ish-kryeministri ka shtuar se për çështjen e dialogut mbështet një “marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit”.

Nga ana tjetër, kreu i AAK-së ka shprehur indirekt kritika për qeverinë dhe sa i takon menaxhimit të pandemisë, ku thotë se partia e tij “qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor”.

Shpallja e kandidaturës për president nga Haradinaj, vjen në një moment kur po diskutohet për një zgjerim të mundshëm të koalicionit qeverisës LDK-AAK-Nisma-LS edhe me Partinë Demokratike, e ku pjesë e marrëveshjes mund të jetë edhe posti i presidentit.

Ramush Haradinaj drejton partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që prej vitit 2001. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dy herë kryeministër i Kosovës. Për herë të parë ai u zgjodh në krye të qeverisë së Prishtinës me 3 dhjetor 2004, detyrë të cilën e mbajti për vetëm pak muaj, deri në 8 mars 2005. Ndërsa për herë të dytë ka qëndruar në detyrë për gati 3 vjet (shtator 2017-shkurt 2020), deri sa dha dorëheqje në korrik të vitit të kaluar, pas kërkesës për t’u marrë në pyetje, në cilësinë e të dyshuarit, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Mandati i Presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi përfundon në prill të vitit 2021. Thaçi, edhe pse ndaj tij është propozuar të ngrihet aktakuzë për krime lufte nda Prokuroria Speciale në Hagë, nuk ka pranuar të japë dorëheqje deri në zyrtarizim të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Presidenti në Kosovë zgjidhet nga Parlamenti me 2/3 e votave. Por, nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej (2/3 në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.