Rashica flet për mungesat e rëndësishme dhe mundësitë e sontme

(nga TopSporti.com) – Golashënuesi i golit të fundit të Kosovës në përballje ndaj Malit të Zi si dhe njëri ndër më të dalluarit në ekip, Milot Rashica në konferencën për shtyp para ndeshjes Bullgaria – Kosova ka bërë të ditur se sa i mungojnë ekipit lojtarët si Arbër Zeneli, Valon Berisha, … ndërsa ka folur edhe për mundësitë e sontme të Kosovës.

“Si çdo ndeshje, edhe këtë ndeshje do të tentojmë t’i fitojmë tri pikë. Atmosfera është e mirë, do të ishte edhe më e mirë nëse do të kishim fituar ndeshjen e fundit, por prapë se prapë jemi të përqendruar te ndeshja me Bullgarinë. E dimë se nuk do të jetë lehtë, por besoj se do të japim maksimumin. Mungesa e Zenelit? Normalisht të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm si Arbëri, si Valoni si Hekuranit apo Herolindit. Jemi në fund të edicionit dhe lëndimet mund të vijnë papritur, por ne do të futemi në çdo ndeshje me përqendrimin më të madh dhe nuk mendoj se asnjëri prej neve hyn duke menduar nëse do të lëndohet. Të gjithë hyjmë në fushë për të dhënë më të mirën.”