Rashiq: Në Nish grumbullohen votat e serbëve, dhe mbushen fletëvotime false

Nenad Rashiq, ish-kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit mes disa partive të serbëve të Kosovës, “Sloboda”, ka akuzuar Beogradin zyrtar për manipulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Rashiq ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se në Serbi janë grumbulluar votat e serbëve, vetëm për Listën Serbe, të cilën qeveria e Serbisë e dirigjon.

Ai ka thënë se në një qendër në Nish janë mbushur fletëvotime, para se të dërgoheshin në Kosovë.

“Në Nish grumbullohen votat e serbëve, dhe bëhen fletëvotime false”, ka deklaruar Rashiq.

Ai më tej ka thënë se Vuçiq e ka frikë Albin Kurtin sepse nuk do ta ketë të lehtë me të, siç e kishte me presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj.

“Vuçiqi frikësohet se nuk ka me i shku mirë me Albinin, siç i ka shku me presidentin Thaçin  dhe ish-kryeminsitrin Haradinaj”, është shprehur Rashiq.

Kjo sepse sipas tij, Albin Kurti nuk është naiv dhe nuk i ka borxh askujt.

“Vuçiq do ta ketë më të vështirë me Kurtin, sepse Kurti nuk është naiv dhe nuk i ka borxh askujt”, shtoi Rashiq. /Express/