Reagime ndaj shkarkimit të tre kryetarëve kurdë në Turqi

Vendimi i autoriteteve turke për shkarkimin e kryetarëve të tre komunave të mëdha të Turqisë ka shkaktuar reagime të shumta.

Partia kurde HDP, e cila ka qenë fituese e zgjedhjeve të marsit në Komunat Diyarbakir, Mardin dhe Van, vendimin e ka quajtur puç politik i cili përbën një veprim të qartë armiqësor kundër vullnetit politik të popullit kurd.

Shumicën e popullatës së tre komunave më të mëdha të pjesës juglindore të Turqisë e përbëjnë kurdët dhe fituese të zgjedhjeve në këtë pjesë të Turqisë tradicionalisht janë kurdët.

Ndaj vendimit të Ministrisë së Punëve të Brenshme për shkarkimin e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave Diyarbakir, Mardin dhe Van, ka reaguar edhe Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Ai ka deklaruar se shkarkimi i kryetarëve të zgjedhur me votat e popullit dhe zëvendësimi i tyre me persona të deleguar nuk ka të bëjë fare me demokracinë dhe parimet demokratike.

Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë, në vend të kryetarëve të shkarkuar, i ka deleguar guvernatorët e provincave përkatëse që të ushtrojnë edhe detyrën e kryetarit. Guvernatorët e provincave në Turqi delegohen nga Presidenti.