Reagimet pas lirimit të të akuzuarve të rastit “Pronto”

Aktgjykimi lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Pronto”, ka bërë që këtë të premte trupi gjykues të jetë cak i sulmeve nga njerëzit e politikës.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, aktgjykimin për lirimin e të akuzuarve e ka cilësuar si kapje të shtetit.

Nagavci, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që sa më shpejt të formohet qeveria e re për, siç ka thënë ajo, ç’kapje të institucioneve, raporton KTV.

Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë gjithashtu se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës “Pronto” dëshmon vulën e një shteti të kapur.

Por, të gjitha këto reagime politike janë kundërshtuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili i ka quajtur të papranueshme ndërhyrjet politike në vendimet gjyqësore, megjithëse është kritikuar qasja e Prokurorisë në këtë rast.

E shqetësim të thellë për këtë vendim ka shprehur edhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Sipas GLSP-së, i gjithë ky proces gjyqësor ka pasur shkelje të mëdha procedurale dhe gjyqësore.

Gjykimi në rastin “Pronto” përfundoi me rreth 12 seanca, pa dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Speciale. / Koha.net