Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pasi djali i politikanit serb Nenad Rashiq, u sulmua rëndë në Graçanicë.

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

I pari i LVV-së këtë sulm e lidh me motive politike.

“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”.

Kurti më tej shkruan se në qeverinë e drejtuar nga ai, do të ketë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime.

“Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurtë”.

Kurti ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin rastin sa më shpejt dhe kriminelët të vihen para drejtësisë.

“Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë”, ka thënë më tej Kurti./Telegrafi/